Instituti Norvegjez i Nobelit në Oslo pritet të shpallë sot fituesin e Çmimit Nobel për Paqen, ndërsa sytë e botës janë kthyer nga emri që do të kurorëzohet me një prej vlerësimeve më prestigjioze ndërkombëtare.

Por përpara se të zbulohet laureati i këtij viti, në skenë është rikthyer me zë të lartë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili vazhdon të pretendojë se është një kandidat i denjë për këtë çmim.

Trump ka theksuar në disa raste se ka luajtur një rol kyç në nxitjen e paqes, veçanërisht në Lindjen e Mesme, gjatë mandatit të tij presidencial. Marrëveshjet e normalizimit mes Izraelit dhe disa shteteve arabe, të njohura si “Marrëveshjet Abraham”, janë përmendur shpesh prej tij si argument për kandidaturën.

Gjatë një takimi në shkurt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump deklaroi me bindje se e meriton Nobelin, por shprehu dyshime se do ta fitojë ndonjëherë:
“Ata kurrë nuk do të më japin një Çmim Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin,” u shpreh ai.

Trump ka qenë disa herë i propozuar për çmimin, por deri tani nuk ka qenë në mesin e fituesve. Shpallja zyrtare nga komiteti Nobel pritet me interes global, mes një liste të gjatë kandidatësh që përfshijnë figura politike, aktivistë dhe organizata humanitare.