Një grua 84-vjeçare nga Kansas ka humbur mbi 255 mijë dollarë në ar, pasi ra pre e një mashtrimi të organizuar nga persona që u shtirën si agjentë të Federal Bureau of Investigation. Sipas dokumenteve gjyqësore, viktima nga Sedgwick County u bind se kursimet e saj ishin në rrezik dhe duhej të mbroheshin. Mashtruesit e kontaktuan për muaj me radhë, duke i thënë se numri i saj i sigurimeve shoqërore ishte komprometuar. Ajo u udhëzua të tërhiqte paratë dhe t’i kthente në ar, me pretendimin se kjo ishte mënyra më e sigurt për t’i shpëtuar nga vjedhja.
Duke besuar se po ndihmonte autoritetet federale, gruaja bleu ar në periudhën qershor–gusht dhe ia dorëzoi gjatë takimeve të fshehta pranë një kishe në Andale. Ajo vazhdoi të besonte se po bashkëpunonte me agjentë shtetërorë deri në momentin kur familjarët zbuluan në shtator se të gjitha pasuritë e saj ishin zhdukur.
Pas denoncimit, policia dhe agjentë të vërtetë federalë organizuan një operacion për të identifikuar autorët. Gjatë këtij veprimi, u ndaluan dy persona që dyshohet se po tentonin të merrnin sasi të tjera ari. Ata janë identifikuar si Sai Praveen Kommana nga Teksasi dhe Krishna Bharanue Daggubati nga Xhorxhia.
Hetuesit dyshojnë se ari i marrë është kanalizuar drejt llogarive jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa organizatori kryesor mendohet se vepron nga jashtë vendit. Të dy të dyshuarit përballen me akuza për tentativë vjedhjeje përmes mashtrimit, ndërsa Kommana është paditur edhe në një çështje më të gjerë për mashtrim elektronik.



