Një skenë paniku ka shpërthyer të hënën, më 16 shkurt, në provincën Buriram të Tajlandës, kur një elefant mashkull 19-vjeçar, i quajtur Fly Petch Uthai, sulmoi pronarin e tij dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në automjete, pasi u ndërpre gjatë një seance çiftëzimi.

Sipas raportimeve të Daily Mail, elefanti ishte sjellë nga pronari i tij 35-vjeçar, Somborn, për të kryer çiftëzim me një elefant femër. Por, autoritetet lokale thanë se kafsha reagoi dhunshëm kur kujdestari i saj u përpoq ta largonte pas çiftëzimit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë elefantin duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij, duke përmbysur një makinë të bardhë dhe duke ndjekur një motoçiklist, ndërsa banorët shikonin me tmerr.

Kryetari i fshatit, Utai Yeerum, shpjegoi se elefanti ishte përdorur për shumim, por ndërhyrja e shpejtë e pronarit mund të ketë acaruar kafshën, duke e bërë atë agresive dhe posesive ndaj femrës.

Si pasojë e sulmit, pronari i elefantit ka pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe është transportuar urgjentisht në spital. Kafsha më pas u arratis dhe vazhdoi të shkaktonte dëme, duke përmbysur dy makina, dëmtuar shenja rrugore dhe duke frikësuar banorët. Vullnetarët nga Elephant Kingdom mbërritën në vendngjarje dhe i administruan kafshës qetësues, duke e imobilizuar pas një periudhe dy-orëshe përpjekjesh.

Një nga pronarët e makinave të dëmtuara, 30-vjeçari Natapon Malihoon, tha se po priste vendimin e kompanisë së sigurimeve për mbulimin e dëmeve. Aktualisht, elefanti ndodhet nën kujdesin e veterinerëve në Elephant Kingdom në provincën Surin, ndërsa kujdestari i tij vazhdon trajtimin në spital.