Policia italiane ka nisur hetimet pas denoncimit të një turisteje 17-vjeçare gjermane, e cila dyshon se është sulmuar seksualisht pas një mbrëmjeje të kaluar në një klub nate në Rimini.

E mitura ndodhej me pushime në Itali së bashku me një grup miqsh. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 11 shtatorit, ndërsa alarmi u ngrit pasi vajza u kthye në hotel në orët e para të mëngjesit.

Sipas mediave italiane, 17-vjeçarja ishte e çorientuar dhe nuk arrinte të kujtonte se çfarë kishte ndodhur gjatë një pjese të natës. Përballë dyshimeve se mund të ishte abuzuar seksualisht, ajo kërkoi ndihmën e miqve dhe u dërgua në spital.

Mjekët kryen ekzaminimet dhe morën mostrat e nevojshme sipas protokolleve që ndiqen në raste të tilla. Dokumentacioni mjekësor iu vu më pas në dispozicion policisë, e cila nisi hetimet për të rindërtuar lëvizjet e adoleshentes dhe personave me të cilët ajo kishte pasur kontakt.

Një element i rëndësishëm për hetuesit është humbja e kujtesës e raportuar nga 17-vjeçarja. Ajo ka treguar se kishte konsumuar alkool gjatë mbrëmjes, ndërsa po kryhen analiza për të verifikuar nëse në organizmin e saj mund të ketë pasur edhe substanca të tjera.

Nga dëshmitë e siguruara deri tani rezulton se vajza kishte qëndruar duke kërcyer me miqtë në klub, përpara se të largohej nga lokali në shoqërinë e një të riu.

Hetimet kanë çuar në identifikimin e një turisti 27-vjeçar, i cili qëndronte në të njëjtin hotel me grupin e të rinjve gjermanë. Autoritetet kontrolluan dhomën e tij dhe sekuestruan telefonin celular, së bashku me disa sende të tjera që pritet t’u nënshtrohen verifikimeve.

27-vjeçari është marrë në pyetje nga policia dhe ka mohuar çdo akuzë për ushtrim dhune ndaj adoleshentes. Sipas raportimeve, ai nuk rezulton me precedentë penalë dhe në këtë fazë të hetimit ndaj tij nuk është vendosur masë sigurie.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes priten rezultatet e analizave laboratorike dhe ekzaminimeve mjekësore. Hetuesit po punojnë gjithashtu për të rindërtuar orët për të cilat 17-vjeçarja thotë se nuk ka kujtime dhe për të përcaktuar nëse ndaj saj është kryer një vepër penale.