Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka surprizuar opinionin publik me një deklaratë publike në të cilën përgëzon Donald Trumpin për planin që çoi në lirimin e 20 pengjeve të fundit të mbajtura nga Hamasi dhe arritjen e një armëpushimi të ri në Gaza.
Në një postim në platformën “X”, Biden e cilësoi marrëveshjen si një hap vendimtar drejt paqes në Lindjen e Mesme.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe i lehtësuar që kjo ditë ka ardhur për 20 pengjet e fundit që kanë kaluar një ferr të paimagjinueshëm dhe më në fund janë ribashkuar me familjet dhe të dashurit e tyre,” shkruan Biden. Ai gjithashtu u ndal edhe te vuajtjet e civilëve palestinezë: “…për civilët në Gaza që kanë përjetuar humbje të pamatshme dhe më në fund do të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre.”
Duke komentuar përpjekjet që çuan në marrëveshje, Biden nënvizoi se administrata e tij ka punuar “pa pushim” për të ndihmuar në kthimin e pengjeve dhe për të ofruar ndihmë humanitare, por përgëzoi Trumpin për finalizimin e saj:
“E përgëzoj Presidentin Trump dhe ekipin e tij për punën e tyre për të arritur në vijën e finishit një marrëveshje të rinovuar armëpushimi.”
Në fund të deklaratës, Biden shprehu shpresën se ky zhvillim do të sjellë një të ardhme më të mirë për të dy popujt: “Tani, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të botës, Lindja e Mesme është në rrugën e paqes që shpresoj të zgjasë dhe në një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët njësoj me masa të barabarta paqeje, dinjiteti dhe sigurie.”