Një martesë poligamie mes 4 burrave ka shkaktuar kaos dhe reagiem të forta në Gjermani.

Sipas mediave të huaja, një pastore 33-vjeçare në Berlin  më 7 nëntor, kreu një ceremoni “martese poligamie” midis katër burrave, si pjesë e një festivali dasmash të organizuar në Kreuzberg.

Në reagimet e forta që pasuan, meqenëse poligamia është e paligjshme sipas ligjit civil gjerman, struktura lokale protestante shprehu mbështetjen e saj për pastoren, ndërsa peshkopi i Berlinit sqaroi se ky nuk ishte një akt zyrtar i kishës me fuqi ligjore.

Sipas raportimeve, pastorja 33-vjeçare Lena Müller, e cila e prezanton veten në rrjetet sociale si një “feministe dhe pastore”, me theks në çështjet e përfshirjes, feminizmit, miqësisë me komunitetin LGBTI dhe anti-racizmit, postoi në Instagram se kishte mbajtur ceremoninë e saj të parë të “martesës poli”.

Postimi, i cili u fshi më vonë, tregonte Müller, pastoren me flokë rozë, së bashku me katër burra dhe shkruante: “Katër të rinj i thanë ‘po’ njëri-tjetrit, festuan dashurinë me ne dhe e vendosën veten nën bekimin plot ngjyra të Zotit”.

Müller tha për mediat se që nga momenti i parë, kishte shumë dashuri midis tyre dhe se ekipi i festivalit shpejt pranoi të vazhdonte me bekimin.

“Çfarë mund të kishte Zoti kundër të ishin katër në vend të dy?”, tha ajo.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta, teksa lajmi u komentua me zemërim në një pjesë të shtypit dhe rrjeteve sociale gjermane, kryesisht me referenca për papajtueshmërinë e ceremonive të tilla me kuadrin ligjor ortodoks për martesën në Gjermani.