Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar NATO-n, duke thënë se është “absurde” që ende nuk është vendosur një afat kohor se kur Ukraina mund të ftohet për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.
“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor për ftesën dhe për anëtarësimin e Ukrainës,” shkroi Zelensky në një postim në Twitter, teksa në Vilnus po mbahet samiti i vendeve të aleancës.
“Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të aleancës”, shton presidenti ukrainas.
Kujtojmë se NATO ka rënë dakord në vitin 2008 që Ukraina “do” të bëhet anëtare e aleancës, por kurrë nuk tha se si dhe kur mund të ndodhë kjo.