Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, të planifikuar më 19 shkurt në Uashington. Përmes zëdhënësit të saj, Anouar El Anouni, Komisioni Europian bëri të ditur se Brukseli ka ende pikëpyetje mbi statutin e “Bordit të Paqes”, veçanërisht për fushëveprimin, qeverisjen dhe përputhshmërinë me Kartën e OKB-së.
Megjithatë, BE mbetet e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin e një plani paqeje në Gazë.
Ndërkaq, sipas raportimit të “New York Times”, në takimin joformal në Uashington pritet të prezantohet një plan prej miliarda dollarësh për rindërtimin e rripit të Gazës. SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se janë gati të investojnë secila nga 1 miliard dollarë në këtë projekt. Po ashtu, disa nga 20 vendet pjesëmarrëse pritet të ofrojnë mijëra trupa për krijimin e një force sigurie që do të vendoset në territor, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit.



