Parlamenti Evropian ka ngrirë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Vendimi rrit presionin mbi marrëdhëniet transatlantike, pasi Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja ndaj disa vendeve europiane që refuzojnë kërkesën e tij që SHBA-të të marrin kontrollin e Groenlandës.

Marrëveshja ishte arritur vitin e kaluar pas javësh tensionesh tregtare, të shkaktuara nga politika agresive e tarifave që Trump riktheu pas ardhjes së tij në pushtet. Edhe pse ekzistonte një marrëveshje politike, ajo ende duhej të zbatohej zyrtarisht nga Parlamenti Europian. Eurodeputetët vendosën të pezullojnë procesin, duke shtyrë zyrtarisht votimin që ishte planifikuar për javën e ardhshme në Komisionin për Tregtinë Ndërkombëtare të Parlamentit Europian.

Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi Trump deklaroi në rrjetet sociale se do të vendosë një tarifë 10% nga shkurti për Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Francën, Gjermaninë, Holandën, Finlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, derisa, sipas tij, të arrihet “marrëveshja për blerjen e plotë të Groenlandës”. T arifa do të rritet në 25% deri në qershor, nëse nuk ka marrëveshje.

Eurodeputetët i shohin këto kërcënime si shkelje të marrëveshjes BE-SHBA, e cila parashikon tarifa amerikane 15% mbi mallrat europiane, ndërsa BE angazhohet të ulë tarifat për importet industriale nga SHBA në zero. Ligjvënësit po përgatisnin amendamente për marrëveshjen, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë atë të pabalancuar në favor të SHBA-ve.

Bernd Lange, eurodeputeti gjerman që drejton Komisionin e Tregtisë në Parlamentin Europian, kërkoi më herët pezullimin e punës për marrëveshjen. Ky qëndrim u mbështet po atë ditë edhe nga grupet kryesore politike në Parlament: PPE, S&D dhe Renew. Liderët e BE-së do të mblidhen nesër në mbrëmje, 22 janar, për të përcaktuar përgjigjen e bllokut ndaj kërcënimeve të Trump, të cilat shumë i konsiderojnë si formë shantazhi politik.