Trump tërhoqi ftesën për Kanadanë për t’u bashkuar me ‘Bordin e Paqes’. Ndërsa udhëheqësit e shumë demokracive liberale refuzuan ta nënshkruanin. “The Guardian” bën me dije se, kryeministri kanadez, Mark Carney, përpara Davosit, e kishte pranuar në parim.
“Ju lutem lejoni që kjo letër të shërbejë për të shpjeguar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë, i cili do të jetë Bordi më prestigjioz i Udhëheqësve i mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë”, shkroi Trump në një postim në Truth Social, drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney.
Trump lançoi iniciativën e tij “bordi i paqes” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke pretenduar se do të ishte një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë në historinë e botës. Bordi, i cili do të kryesohet nga Trump, fillimisht u përshkrua si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.



