Një incident i pazakontë ka ndodhur në Scottsbluff, ku një grua mbeti e plagosur pas një të shtënë me armë zjarri që dyshohet se u shkaktua aksidentalisht nga një qen brenda një furgoni.
Sipas autoriteteve amerikane, gruaja po priste në semafor me krahun jashtë dritares së automjetit, kur papritur dëgjoi një krismë dhe ndjeu dhimbje në krah. Më pas ajo kuptoi se ishte plagosur nga një plumb.
Hetimet paraprake tregojnë se pranë një karburanti ishte parkuar një furgon, brenda të cilit ndodhej një pushkë gjuetie e mbushur. Pronari i automjetit kishte hyrë në një dyqan aty pranë, duke lënë armën në sediljen e pasme së bashku me qenin e tij.
Policia dyshon se kafsha ka lëvizur mbi armë dhe në mënyrë aksidentale ka shkaktuar shkrepjen, ndërsa plumbi ka kaluar përmes derës së automjetit dhe ka goditur gruan që ndodhej pranë.
E plagosura u transportua menjëherë në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në momentet e para, policia e trajtoi rastin si një incident të mundshëm kriminal me armë zjarri, por pas kontrollit të automjetit u konstatua se në vendngjarje ndodheshin vetëm qeni dhe arma e lënë pa masa sigurie.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe në SHBA për shkak të rrethanave të pazakonta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht incidentin.
