Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit konservator Charlie Kirk, ka mbajtur një fjalim emocionues pas vrasjes tragjike të tij në një kampus universitar në Utah. Duke folur pranë një karrige bosh – vendi ku burri i saj ulej zakonisht gjatë regjistrimeve të podkasteve – ajo falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën t’i shpëtonin jetën dhe kujtoi dashurinë e tij të pakushtëzuar për familjen dhe Shtetet e Bashkuara.

Zëri i burrit tim do të mbetet,” u zotua ajo, duke cituar pasazhe nga Bibla dhe duke nënvizuar lidhjen e fortë që Kirk kishte me Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance dhe misionin e tij politik.

Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën në Orem të Utah-ut, ku Kirk u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti publik. Autori i dyshuar, Tyler Robinson, u arrestua një ditë më pas pasi iu dorëzua policisë.

Transmetimi nga selia e Turning Point USA në Arizona nisi me disa minuta heshtje, përpara se Erika të ngrinte sytë drejt qiellit dhe të pëshpëriste një lutje. Me lot në sy, ajo falënderoi jo vetëm ndihmësit dhe stafin, por edhe Shtëpinë e Bardhë për mbështetjen.

Z. President, im shoq ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë,” tha ajo, duke kujtuar gjithashtu edhe mbështetjen e JD Vance dhe bashkëshortes së tij Usha, të cilët shoqëruan arkivolin e Kirk drejt Arizonës.

Por fjalia më e fuqishme e saj ishte drejtuar autorëve të ngjarjes:
Nuk e keni idenë çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje. Britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një thirrje beteje.

Duke folur për fëmijët e tyre të vegjël, një vajzë trevjeçare dhe një djalë njëvjeçar, ajo tha se ishte e pamundur t’u shpjegonte humbjen e babait. “Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin,” i kishte thënë vajzës së tyre.

36-vjeçarja Erika Kirk u shfaq e thyer nga dhimbja, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme për të çuar përpara trashëgiminë e bashkëshortit të saj.