Dukesha e Edinburgut, Sophie, ka shprehur keqardhje për një të moshuar, e cila u godit nga një motoçikletë policie që shoqëronte familjen mbretërore. Dukesha ka thënë se “mendimet dhe lutjet” e saj janë me një grua rreth të 80-tave, e cila është në gjendje kritike për jetën.
Në një deklaratë, Buckingham Palace tha: “Mendimet dhe lutjet e përzemërta të Dukeshës janë me zonjën e plagosur dhe familjen e saj. Ajo është mirënjohëse për reagimin e shpejtë nga shërbimet e urgjencës, dhe do të jetë në dijeni të zhvillimeve. Komente të mëtejshme në këtë moment nuk do të ishin të përshtatshme, teksa incidenti është duke u hetuar”.
Dukesha, e cila është e martuar me Eduardin, Dukën e Edinburgut, po shoqërohej nga motorët e policisë kur incidenti ndodhi rreth orës 15:21 të së mërkurës.
Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e rrugës Cromwell dhe Warwick Road në perëndim të Londrës. Policia Metropolitane tha se motoçikleta e policisë e përfshirë në aksident, ishte në detyrë shoqërimi.
“Ajo është në gjendje kritike. Familja e saj është informuar”, tha policia në një deklaratë gjatë së enjtes. Nuk ka raportime për të lënduar të tjerë.