Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur qytetin Muscatine, SHBA, ku një 52-vjeçar dyshohet se vrau gjashtë të afërm të tij përpara se t’i jepte fund jetës.
Sipas autoriteteve, ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti brenda familjes. Policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri dhe, pasi mbërriti në vendngjarje, gjeti katër persona të pajetë brenda një banese.
I dyshuari, i identifikuar si Ryan Willis McFarland, ishte larguar nga zona para mbërritjes së efektivëve. Pas kërkimeve, ai u lokalizua pranë një ure këmbësorësh në shtegun buzë lumit të qytetit. Sipas policisë, në momentin kur oficerët tentuan ta ndalonin, 52-vjeçari kreu vetëvrasje.
Hetimet vijuan edhe pas kësaj, pasi autoritetet dyshuan se mund të kishte viktima të tjera. Më vonë u zbuluan trupat e pajetë të dy burrave të tjerë, njëri në një banesë aty pranë dhe tjetri në një biznes lokal, të cilët dyshohet se janë vrarë po nga McFarland.
Autoritetet besojnë se të shtatë viktimat kishin lidhje familjare me autorin e dyshuar. Mes të vrarëve ndodheshin edhe dy fëmijë.
Shefi i policisë deklaroi se McFarland kishte precedentë penalë, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi të kaluarën e tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të masakrës vijojnë.
Muscatine është një qytet me rreth 24 mijë banorë në lindje të Ajovës, i vendosur përgjatë lumit Misisipi, rreth 250 kilometra nga kryeqyteti i shtetit, Des Moines.
