Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Baden-Württemberg, në juglindje të Gjermanisë, ku disa persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur, sipas raportimeve nga Agjencia Gjermane e Shtypit (DPA), që citon burime sigurie.

Aksidenti ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 18:10, pranë zonës së Riedlingen, ku një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga stuhitë e motit të keq besohet të ketë ndikuar në daljen nga shinat të një treni rajonal të Deutsche Bahn, i cili po udhëtonte nga Sigmaringen drejt Ulm, në një linjë me vetëm një binar, afër fshatit Zwiefaltendorf.

Treni kishte rreth 100 pasagjerë në bord në momentin e aksidentit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë dy vagona të përmbysur, njërin të anuar rëndë, si dhe pemë të rrëzuara pranë hekurudhës. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë menjëherë, ndërsa dëgjohen britma dhe thirrje për ndihmë në sfond, sipas dëshmitarëve.

Shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet janë në vijim. Linja hekurudhore është mbyllur për qarkullim dhe autoritetet lokale kanë kërkuar që qytetarët të shmangin zonën për të lehtësuar punën e ekipeve të emergjencës.