Autoritetet franceze kanë nisur një hetim penal pas vdekjes së Raphael Graven, 46 vjeç, i njohur online si Jean Pormanove, i cili u shua gjatë një transmetimi live në platformën Kick.

Ngjarja ndodhi në fshatin Contes, pranë Nicës. Prokuroria ka urdhëruar autopsinë dhe ka hapur procedim penal për të zbardhur shkaqet e vdekjes.

Pormanove ishte bërë i njohur në Kick për videot ku shfaqej i dhunuar dhe i poshtëruar nga bashkë-transmetuesit, duke tërhequr mijëra ndjekës. Në disa prej fragmenteve të publikuara nga mediat, ai shihet teksa fyhet, dhunohet, mbytet, lyhet me bojë e vaj, dhe qëllohet me armë paintball. Ende nuk është e qartë nëse ai i pranonte këto skena me dëshirë apo ishte i detyruar.

“Vdekja e Jean Pormanove dhe dhuna që ai ka pësuar janë absolutisht të tmerrshme,” reagoi ministrja franceze për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë Digjitale, Clara Chappaz, në rrjetin X.

Kick France deklaroi se do të bashkëpunojë me autoritetet dhe ka pezulluar të gjithë bashkë-transmetuesit e përfshirë, deri në përfundim të hetimeve.

Ndërkohë, avokati i njërit prej tyre, Yassin Sadouni, tha se viktima vuante nga probleme kardiovaskulare dhe se skenat e dhunës ishin të inskenuara.

Çështja është tashmë në duart e rregullatorit francez të komunikimeve audiovizive, Arcom, dhe portalit Pharos, që merret me përmbajtjet e paligjshme online.