Një rast i rëndë dhune ka ndodhur në Selanik të Greqisë, ku viktima janë dy vajza 13-vjeçare.

Sipas mediave vendase, dy të miturat u sulmuan të premten në mbrëmje në një park në zonën “Evosmos” nga gjashtë bashkëmoshatarë dhe një person tjetër, ende të paidentifikuar. Incidenti, që ndodhi rreth orës 21:00, u regjistrua me video nga njëra prej vajzave dhe kjo shërbeu si provë për policinë.

Pas kallëzimit të dy viktimave, policia arrestoi gjashtë të miturit e dyshuar për përfshirje në rrahje, ndërsa hetimet për të identifikuar personin e shtatë vazhdojnë. Prindërit e të miturve, autorë tëë sulmit, u ndaluan gjithashtu për neglizhencë në mbikëqyrjen e fëmijëve të tyre.

Të miturit janë akuzuar për lëndim trupor, fyerje, vjedhje (pasi i morën celularin një prej viktimave) dhe shkelje të legjislacionit për të dhënat personale. Viktimat janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të ekzaminohen nga mjek ligjor. Të miturit mbeten në paraburgim dhe pritet të paraqiten nesër në prokurori.