Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qendër të Milanos. Nnjë vajzë e re ka denoncuar se u sulmua seksualisht në orët e para të mëngjesit pranë zonës Largo La Foppa, pas një nate të kaluar në një klub nate në qytet.

Sipas mediave italiane, dy vëllezër me origjinë ukrainase, njëri prej tyre i mitur dhe tjetri 21 vjeç, janë identifikuar si autorët e dyshuar të ngjarjes. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për 21-vjeçarin, ndërsa i mituri dyshohet si personi që kreu dhunën seksuale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, teksa vajza po largohej nga një lokal në zonën Corso Como së bashku me dy miqtë e saj. Sipas dëshmisë së saj, dy të rinjtë iu afruan fillimisht duke kërkuar cigare dhe më pas i ofruan lëndë narkotike, por ajo refuzoi.

Më pas, situata degradoi. E reja ka deklaruar para hetuesve se njëri prej tyre e kapi me forcë dhe e tërhoqi larg miqve të saj drejt zonës Viale Francesco Crispi.

Sipas prokurorisë italiane, i mituri tentoi ta detyronte vajzën të kryente akte seksuale dhe e preku në pjesët intime pa dëshirën e saj. Ngjarja u ndërpre pas ndërhyrjes së shoqes së viktimës, e cila dëgjoi britmat e saj dhe vrapoi për ta ndihmuar.

Në dëshminë e saj, shoqja ka treguar se u pengua nga 21-vjeçari, i cili mbante larg edhe personat e tjerë që tentuan të ndërhynin. Ajo pretendon gjithashtu se u godit fizikisht dhe iu grabit çanta para se autorët të largoheshin me vrap.

Policia italiane arriti t’i identifikojë dy të rinjtë falë kamerave të sigurisë që filmuan pothuajse të gjithë episodin. Sipas hetimeve, të dy kanë precedentë penalë të mëparshëm për vepra të ndryshme, përfshirë dhunë, grabitje, armëmbajtje pa leje dhe raste të tjera të ngjashme.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.