Një gjykatë në Zelandën e Re ka dënuar ish-nënkolonelin e policisë Jevon McKiming me nëntë muaj arrest shtëpiak, pasi u shpall fajtor për posedimin e materialeve pornografike me fëmijë në kompjuterët e tij të punës. McKiming, i cili është 52 vjeç, u arrestua në qershor dhe ishte akuzuar për tetë akuza për posedimin e materialeve të ndaluara. Ai u deklarua fajtor për tre akuza, përfshirë posedimin e pornografisë me fëmijë në një aparat zyrtar, në fillim të nëntorit.
Gjyqtari Tim Black, i cili ka dhënë dënimin, kishte menduar fillimisht për një dënim prej tre vjetësh burg, por vendosi të zbuste dënimin për shkak të deklaratës së fajësisë të McKiming, shprehjes së pendimit dhe përpjekjeve për t’u riintegruar në shoqëri. Gjyqtari vlerësoi gjithashtu se McKiming përbën një rrezik të ulët për shoqërinë.
Sipas aktakuzës, veprat penale janë kryer mes korrikut 2020 dhe dhjetorit 2024. McKiming ishte në pezullim me pagë që nga dhjetori i vitit të kaluar, pas nisjes së hetimit, dhe qëndroi jashtë detyrës për gjashtë muaj përpara se të jepte dorëheqjen në maj të këtij viti.
Avokatja e McKiming, Letitia Ord, tha se klienti i saj ndien një turp të thellë për veprimet e tij dhe ka pranuar përgjegjësinë për to. Komisioneri i Policisë së Zelandës së Re, Richard Chambers, e ka cilësuar këtë rast si “të turpshëm”, duke theksuar se ky është një incident shumë i rëndë për institucionin e policisë.
Dënimi me arrest shtëpiak ka shkaktuar reagime të ndryshme, duke ngritur pyetje për sanksionet që duhet të merren në raste të tilla, si dhe për ruajtjen e integritetit të institucioneve të zbatimit të ligjit.
