Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shtetin Uttar Pradesh të Indisë, ku një foshnjë vetëm 20 ditëshe është gjetur e groposur për së gjalli, në një zonë rurale të distriktit Shahjahanpur. Dyshohet se e mitura është braktisur nga e ëma, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim.
Foshnja u zbulua nga një bari vendas, i cili dëgjoi të qara të zbehta që vinin nga poshtë një grumbulli dheu. Ai është afruar dhe ka parë një dorë të vogël që dilte nga balta, çka e shtyu të njoftojë menjëherë policinë.
Zyrtarët lokalë konfirmojnë se foshnja u nxor në gjendje kritike dhe aktualisht po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv pranë një kolegji mjekësor lokal. Drejtori i këtij institucioni, dr. Rajesh Kumar, deklaroi për mediat se foshnja ishte mbuluar plotësisht nga dheu, me shenja të qarta mungese oksigjeni dhe me baltë në gojë e hundë.
“Ajo kishte pësuar pickime nga insekte dhe gjendja e saj ishte kritike në momentin që mbërriti në spital. Fillimisht pati një përmirësim të lehtë, por më pas u përkeqësua dhe zhvilloi një infeksion të rëndë”, tha Kumar.
Mjekët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetën e saj, ndërsa një ekip i specializuar, përfshirë edhe një kirurg plastik, është përfshirë në trajtimin e plagëve dhe kontrollin e infeksionit.
Sipas mjekëve, gjasat janë që foshnja të jetë gjetur pak pasi ishte varrosur, pasi plagët në trupin e saj ishin ende të freskëta.
Policia lokale ka nisur një hetim për të identifikuar prindërit ose personat përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete. Linjat e ndihmës për fëmijët janë informuar dhe po asistojnë në këtë rast.