Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën pasdite në Greqi, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë. Mësohet se viktima ka rënë nga ballkoni i banesës së tij, së bashku me 25-vjeçarin që po e mbante në krahë.
Sipas dëshmive të gjyshit të fëmijës, ngjarja ka ndodhur kur 25-vjeçari, i cili po mbante fëmijën në krahë për ta çuar për një shëtitje, ka goditur një cep të ballkonit, është trullosur dhe ka rënë së bashku me fëmijën në boshllëk. “Fëmija ishte i shqetësuar dhe qante. 25-vjeçari e mori në krahë për ta çuar në shëtitje dhe për ta qetësuar. Por, ndërsa po ecte, goditi kokën në buzë të ballkonit, u trullos dhe ra me fëmijën në krahë nën gardh,” ka treguar gjyshi i fëmijës.
Pas rënies, fëmija ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe është transportuar menjëherë në spital. Ai u intubua, por fatkeqësisht pësoi një atak kardiak dhe humbi jetën.
I afërmi që po mbante fëmijën gjithashtu u plagos gjatë rënies dhe u dërgua në spital. Autoritetet kanë ngritur një padi për vrasje nga pakujdesia kundër tij, dhe ai është arrestuar nga policia.
