Autoritetet italiane po hetojnë një kërcënim të drejtuar ndaj ministrit të Arsimit, Giuseppe Valditara, pasi në selinë e ministrisë mbërriti një zarf brenda të cilit ndodheshin një plumb dhe një letër me përmbajtje kërcënuese.
Dërgesa ishte marrë nga ministria disa ditë më parë, ndërsa rasti iu raportua zyrtarisht Karabinierëve më 16 shtator. Hetuesit po punojnë për të gjurmuar origjinën e zarfit dhe për të identifikuar personin ose personat që qëndrojnë pas tij.
Ngjarja ka sjellë reagime të menjëhershme nga krerët e institucioneve dhe përfaqësues të qeverisë italiane, të cilët kanë shprehur mbështetje për Valditarën dhe kanë dënuar kërcënimin.
Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi solidaritetin e saj dhe të qeverisë me ministrin. Ajo e konsideroi dërgimin e një plumbi të shoqëruar me një mesazh kërcënues si një formë frikësimi që nuk duhet të ketë hapësirë në një sistem demokratik.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani. Sipas tij, kërcënime të tilla nuk do ta frikësojnë Valditarën dhe nuk do të ndikojnë në vazhdimin e punës së qeverisë.
Mbështetje për ministrin e Arsimit shprehu gjithashtu ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, i cili e dënoi episodin si një akt të papranueshëm intimidimi.
Reagimeve iu bashkuan edhe drejtuesit e dy dhomave të Parlamentit italian. Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe kreu i Senatit, Ignazio La Russa, shprehën solidaritet me Valditarën.
La Russa kërkoi që hetimet të çojnë sa më shpejt në identifikimin e personave përgjegjës për kërcënimin, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rastit.
