Një rrjedhje e një substance kimike në ambientet e një kompanie në Nuremberg, Gjermani, ka shkaktuar vdekjen e një punonjësi dhe dërgimin e 17 të tjerëve në spital.

Aksidenti ndodhi pasditen e së premtes në një park industrial të qytetit gjerman, duke shkaktuar një mobilizim të madh të autoriteteve lokale.

Dy punonjës u gjetën pa ndjenja brenda ambienteve të kompanisë, ndërsa njëri prej tyre ndërroi jetë më vonë në spital, sipas njoftimit të policisë.

Autoritetet bavareze kanë siguruar se tashmë nuk ekziston rrezik për shëndetin publik, pasi rrjedhja u izolua në kohë brenda ndërtesës. Deri më tani nuk është bërë e ditur se cila ishte substanca kimike që rrjedhi, as shkaqet e incidentit.

Sipas Agjencisë Gjermane të Lajmeve (dpa), në vendngjarje ndërhynë 65 zjarrfikës, disa prej tyre të pajisur me kostume mbrojtëse kundër substancave kimike, të cilët evakuuan dhjetëra punonjës nga ndërtesa.