Ministri francez i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, ka deklaruar se anëtarët e Bashkimit Evropian mund të arrijnë një marrëveshje gjatë kësaj jave për ndalesën e të gjitha importeve të naftës nga Rusia.
“Mendoj se ne mund të arrijmë marrëveshje gjatë kësaj jave”, tha Beaune për televizionin LCI.
Ai shtoi se presidenti francez, Emmanuel Macron do të bisedojë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për këtë çështje, duke qenë se Hungaria është një ndër shtetet që po e kundërshton fort këtë hap.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të hënën se ka bërë përparim në bisedimet me Orbanin, sa i përket kësaj çështjeje.
Orban njihet si një lider pro-rus dhe ka paralajmëruar se do të ndryshojë qëndrim sa i përket marrëdhënieve me Putinin.
Më 4 maj, von der Leyen, prezantoi propozimin e KE-së, si pjesë e pakos së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Komisioni parashikon që BE-ja të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit. Por, për të miratuar këtë pako të gjashtë të sanksioneve kërkohet mbështetja unanime e 27 shteteve anëtare të bllokut evropian.