Një 26-vjeçar, shtetas holandez i lindur në Somali, i shpallur në kërkim nga autoritetet britanike për akuza të rënda penale, është arrestuar në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.
Sipas policisë federale gjermane, arrestimi u krye menjëherë pas mbërritjes së tij nga një fluturim ndërkontinental nga Addis Ababa, Etiopi. I dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar që prej dhjetorit të vitit 2023.
Autoritetet britanike e akuzojnë 26-vjeçarin për përdhunime të përsëritura ndaj motrës së tij, e cila në kohën e ngjarjeve ishte 13 vjeçe. Sipas hetimeve, veprat penale dyshohet se kanë ndodhur gjatë vitit 2020, në periudhën kur ai jetonte në Britani.
Në një njoftim zyrtar, Policia Federale Gjermane konfirmoi se arrestimi u bë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe se i dyshuari u paraqit përpara gjyqtarit kompetent në Frankfurt. Ai është mbajtur në paraburgim, ndërsa emri i tij nuk është bërë publik për arsye procedurale.
Autoritetet gjermane sqarojnë se procesi i ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar mund të zgjasë nga 10 deri në 60 ditë, pasi i arrestuari ka të drejtën ligjore të kundërshtojë ekstradimin.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet britanike pritet të ndjekin procedurat për kthimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me drejtësinë.
