Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në portin “Granadilla de Abona”, në Tenerife, aty ku po kryhet procesi i evakuimit të pasagjerëve të infektuar me hantavirus, nga anija “Hondius”.
Raportohet se një oficer 62-vjeçar i Gardës Civile Spanjolle humbi jetën pasi pësoi një atak në zemër gjatë operacionit për zbritjen dhe riatdhesimin e pasagjerëve. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në platformën X nga sindikata e Gardës Civile, Jucil Nacional.
“Oficeri, ndërsa ndodhej në postin e komandës operative, pësoi një atak në zemër. Pavarësisht 40 minutave përpjekjesh për ringjallje, jeta e tij nuk mundi të shpëtohej. Një tjetër koleg humbet jetën në krye të detyrës. Një tjetër familje e shkatërruar”, thuhej në deklaratë.
Deklarata i referohej gjithashtu vdekjes së dy oficerëve të Guardia Civil më 8 maj, gjatë një përplasjeje mes dy anijeve patrulluese të xhandarmërisë, teksa ndiqnin një motoskaf të trafikantëve të drogës në brigjet e Huelva, në Andalusia.
