Dy të rinj 16-vjeçarë janë arrestuar në Francë, pasi njëri prej tyre ka pranuar se kishte planifikuar një “akt dhune” që do të synonte një qendër tregtare. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Antiterrorizmit (Pnat), i dyshuari, i konsideruar si udhëheqësi i grupit, pranoi se ishte ndikuar nga xhihadizmi dhe kishte ndërmend të grabiste një armë. Ai gjithashtu ka blerë kimikate për të kryer “teste ndezjeje” në shtëpinë e tij.
Dy të rinjtë u arrestuan të martën dhe janë marrë në paraburgim. Prokuroria ka kërkuar që “udhëheqësi” i dyshuar të mbahet në paraburgim, ndërsa 16-vjeçari i dytë të lirohet nën mbikëqyrje gjyqësore, pasi besohet se ishte “në dijeni të planeve të mikut të tij” dhe kishte inkurajuar bindjet e tij radikale.
Ky rast është pjesë e një tendence shqetësuese, ku gjithnjë e më shumë të rinj po arrestohen në lidhje me aktivitete terroriste. Olivier Christian, prokurori i shërbimit antiterrorizëm, ka theksuar se vitin e kaluar, 22 të mitur janë ndjekur penalisht për raste terrorizmi, duke përbërë 20% të të gjithë të dyshuarve për këto krime. Sipas tij, këta të rinj shpesh janë të paedukuar ose të braktisur nga shkolla dhe radikalizohen përmes platformave sociale si TikTok dhe Telegram, të cilat i drejtojnë ata në materiale xhihadiste dhe i bindin se shoqëria është përgjegjëse për të keqen, duke i nxitur të veprojnë me dhunë.
