Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një nga avionët e saj ushtarakë u rrëzua mbi Gadishullin e Krimesë, ku si pasojë humbën jetën 29 persona.
Ministria tha në një deklaratë se në bord kishte 23 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
“Gjatë një fluturimi të planifikuar mbi gadishullin e Krimesë më 31 mars rreth orës 18:00 sipas kohës së Moskës, humbi komunikimi me avionin e transportit ushtarak An-26”, tha ajo.
Një ekip kërkim-shpëtimi gjeti vendin e rrëzimit të avionit An-26 dhe nuk kishte të mbijetuar.
Një komision nga ministria po punon në vendin e rrëzimit. Nuk janë gjetur prova të ndikimit të jashtëm në avion ndërsa shkaku paraprak i incidentit është një mosfunksionim teknik, vuri në dukje ministria.
