Një shpërthim i rëndë në një fabrikë letre në shtetin e Washingtonit në SHBA ka shkaktuar viktima dhe ka lënë të zhdukur disa punëtorë, ndërsa autoritetet po përballen me rrezikun e një tjetër incidenti kimik në zonë.
Ngjarja ndodhi në fabrikën Nippon Dynawave Packaging në qytetin Longview, ku një rezervuar i madh me substanca toksike shpërtheu në orët e para të mëngjesit.
Sipas autoriteteve lokale, nga shpërthimi humbi jetën një person, ndërsa të paktën nëntë punëtorë rezultojnë ende të zhdukur. Tetë punonjës dhe një zjarrfikës u transportuan me urgjencë në spital, disa prej tyre me plagë të rënda dhe djegie.
Rezervuari përmbante rreth 900 mijë gallonë “lëng të bardhë”, një përzierje kimikatesh të përdorura në industrinë e përpunimit të letrës, ku përfshihen hidroksidi i natriumit dhe sulfuri i natriumit. Fillimisht autoritetet menduan se sasia e substancave ishte shumë më e ulët, por më vonë u konfirmua se rezervuari kishte mbi dhjetë herë më shumë material toksik nga sa ishte raportuar.
Zyrtarët thanë se një pjesë e kimikateve mbetet ende në rezervuar, i cili konsiderohet i paqëndrueshëm dhe përbën rrezik serioz për ekipet e emergjencës. Për këtë arsye, operacionet e kërkim-shpëtimit janë pezulluar përkohësisht deri në stabilizimin e situatës.
“Zona do të monitorohet vazhdimisht, por ndërhyrjet për rikuperimin e të zhdukurve nuk mund të rifillojnë derisa të garantohet siguria”, deklaruan autoritetet gjatë një konference për mediat.
Megjithëse situata mbetet kritike brenda fabrikës, zyrtarët siguruan se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për banorët e zonës përreth.
Ngjarja ndodh në një periudhë alarmi të shtuar për sigurinë industriale në SHBA, ndërsa edhe California po përballet me një emergjencë tjetër kimike pas problemeve me një rezervuar që përmbante metil metakrilat në Qarkun Orange.
