Tariq Ramadan është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata Penale e Parisit, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e tre grave, në një proces që u zhvillua në mungesë të tij dhe me dyer të mbyllura.

Vendimi u dha të mërkurën nga trupa gjykuese e kryesuar nga Corinne Goetzmann, e cila theksoi se pranimi i marrëdhënieve seksuale nuk nënkupton miratimin për çdo akt që ndodh gjatë tyre. Përveç dënimit me burg, Ramadan do të jetë nën mbikëqyrje socio-judiciare për 8 vite dhe i është ndaluar çdo kontakt me viktimat, si dhe publikimi i veprave që lidhen me krimet. Gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e përhershëm të kthimit të tij në Francë pas përfundimit të dënimit.

Akuzat ndaj tij lidhen me ngjarje të ndodhura mes viteve 2009 dhe 2016, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. Gjatë procesit, viktimat përshkruan marrëdhënie që fillimisht kishin qenë konsensuale, por që më pas u shndërruan në episode dhune fizike dhe psikologjike.

Një nga akuzueset, Henda Ayari, deklaroi se kishte përjetuar frikë për jetën gjatë një prej episodeve. Pas shpalljes së vendimit, ajo u shpreh se kishte pritur drejtësinë për vite me radhë dhe se gjykata i dha besim dëshmisë së saj.

Ramadan nuk ishte i pranishëm në seancë. Avokatët e tij pretenduan se ai ishte i shtruar në spital në Gjenevë për shkak të përkeqësimit të sklerozës së shumëfishtë, por një ekspertizë mjekësore e urdhëruar nga gjykata arriti në përfundimin se gjendja e tij ishte e qëndrueshme dhe nuk e pengonte të paraqitej në gjyq.

Mbrojtja e cilësoi procesin si të padrejtë dhe u largua nga salla e gjyqit, duke e konsideruar atë një “parodi drejtësie”. Megjithatë, gjykata vijoi shqyrtimin dhe shpalli vendimin, duke argumentuar se provat dhe dëshmitë mbështesin akuzat dhe tregojnë një model të përsëritur sjelljeje abuzive.