Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku 9 persona mbetën të plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri në pranë kampusit të Universitetit të Indianës në Bloomington.
Pak para se të nisnin të shtënat në një festë për garën e çiklizmit të kolegjit, një përleshje kishte shpërthyer midis dy vajzave përpara një restoranti. Gjatë përballjes, dy të dyshuar meshkuj nxorën pistoletat e tyre dhe qëlluan në turmën e dendur rreth orës 12:25 të mëngjesit. Dy vajzat e përfshira në përleshje nuk u plagosën dhe motivet e personave që qëlluan me armë mbeten ende të paqarta. Personat e tjerë të plagosur u lënduan gjatë rrëmujës që pasoi. Asnjë student nuk u lëndua, thanë zyrtarët, duke shtuar se viktimat ishin të gjithë vizitorë.
Mes të plagosurve ishin një 17-vjeçare, e cila u godit nga pjesë plumbi në këmbë, një 18-vjeçare e goditur në kyçin e këmbës, një 21-vjeçare e goditur në kofshë dhe një 22-vjeçare me copa plumbash të ngulitura në pjesën e pasme të kofshës. Ndërkohë një 20-vjeçare mori një plumb drejtpërdrejtë në bark. Një nga të plagosurit u transportua në spital dhe është në gjendje të qëndrueshme, ndërsa pjesa tjetër u trajtua në vendngjarje.
