Një udhëtim i zakonshëm me skuadrën përfundoi në tragjedi për një futbollist amator në Gjermani. Një 35-vjeçar, pjesë e klubit TuS Rockenberg, u arrestua më 1 shtator, pasi dyshohet se helmoi një bashkëlojtar të tij, i cili po përgatitej të martohej pas dy javësh.
Sipas hetimeve, i dyshuari, i identifikuar si Marius, mund t’ia ketë dhënë fshehurazi substancën helmuese Filipit gjatë një udhëtimi të ekipit në Drezden.
Gjendja shëndetësore e 30-vjeçarit nisi të përkeqësohej që gjatë udhëtimit. Pas kthimit në banesë, simptomat u rënduan dhe familjarët kërkuan ndërhyrjen e ambulancës. Ai u dërgua në spital, por ndërroi jetë të nesërmen, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Fillimisht, familja mendoi se Filipi mund të ishte helmuar nga ushqimi, pasi gjatë udhëtimit kishte konsumuar peshk. Autopsia tregoi më pas se vdekja ishte shkaktuar nga një helmim, i cili kishte çuar në mosfunksionimin e organeve.
Të dhënat e mbledhura gjatë hetimit orientuan dyshimet e autoriteteve drejt bashkëlojtarit të viktimës. Prokurori Thomas Hauburger deklaroi për mediat vendase se hetuesit po e trajtojnë ngjarjen si një veprim të mundshëm hakmarrjeje.
Në qytetin e Rockenbergut qarkullojnë pretendime se mes dy futbollistëve kishte pasur një konflikt që lidhej me një grua. Kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht. I arrestuari ndodhet në paraburgim dhe deri tani ka zgjedhur të mos japë shpjegime për akuzat.
