Ushtria amerikane kreu një tjetër sulm kundër anijeve të dyshuara për drogë ditën e djeshme, duke vrarë gjashtë persona në Paqësorin Lindor, sipas Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth.
“Ushtria nisi dy sulme vdekjeprurëse kundër dy anijeve të ndara të operuara nga organizata të caktuara terroriste. Këto anije njiheshin nga inteligjenca jonë si të lidhura me kontrabandën e paligjshme të narkotikëve, transportonin narkotikë dhe po kalonin tranzit përgjatë një rruge të njohur tranziti të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor”, shkroi Hegseth në X, pa zbuluar se me cilat organizata besohet se ka qenë i lidhur ekuipazhi i anijeve.
Ushtria amerikane ka vrarë 76 persona në 19 sulme ajrore që kanë shkatërruar 20 anije, si pjesë e një fushate që Uashingtoni thotë se synon të kufizojë rrjedhën e drogës në Shtetet e Bashkuara.
Në disa takime informuese për Kongresin, përfshirë një javën e kaluar, zyrtarët e administratës kanë pranuar se nuk e dinë domosdoshmërisht identitetin e secilit person në bordin e një anijeje përpara se ta sulmojnë atë. Sulmet kryhen në vend të kësaj bazuar në informacionet që tregojnë se anijet janë të lidhura me një kartel ose organizatë kriminale specifike, raportoi CNN.
Administrata Trump i ka thënë gjithashtu Kongresit se SHBA-të janë tani në një “konflikt të armatosur” kundër karteleve të drogës duke filluar me sulmin e parë më 2 shtator, duke i etiketuar të vrarët si “luftëtarë të paligjshëm” dhe duke pretenduar aftësinë për t’u angazhuar në sulme vdekjeprurëse pa shqyrtim gjyqësor për shkak të një gjetjeje të klasifikuar të Departamentit të Drejtësisë .
Disa anëtarë të Kongresit, si dhe grupe të të drejtave të njeriut, e kanë vënë në pikëpyetje këtë gjetje dhe kanë argumentuar se trafikantët e mundshëm të drogës duhet të përballen me ndjekje penale, siç kishte qenë politika e ndalimit e ndjekur nga SHBA-të përpara se Presidenti Donald Trump të merrte detyrën.
