Një grua me origjinë shqiptare është arrestuar nga policia greke pasi dyshohet se ka vrarë me thikë një të moshuar 84-vjeçare në Kamena Vourla.

Ngjarja u raportua më 12 tetor, kur kushëriri i të moshuarës, që nuk kishte marrë asnjë lajm për më shumë se 24 orë, njoftoi policinë.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja duket se ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit mes 84-vjeçares dhe gruas shqiptare, e cila ishte e punësuar për t’u kujdesur për të moshuarën.

Mediat greke raportojnë se ato kishin krijuar një marrëdhënie të mirë, por dyshimet fillestare fokusohen në një vjedhje parash, pasi gruaja shqiptare e dinte se ku mbaheshin paratë.

Në vendngjarje janë gjetur gjurmë këpucësh dhe njolla gjaku, ndërsa raporti mjekoligjor ka konfirmuar se e moshuara ka humbur jetën nga një goditje me mjet të mprehtë në shpinë.

Gruaja shqiptare është arrestuar dhe bashkëshorti i saj është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.