Në Portugali ka lindur fëmija i parë i ngjizur pas vdekjes së të atit. Lajmi është dhënë nga nëna e tij, e cila udhëhoqi nismën që çoi në ndryshimin e ligjit për lejimin e inseminimit ‘postmortem’.
“Sot bota jonë u bë më e ndritshme, Guilherme lindi në orën 11:09 me 3,915 kilogramë e 50,5 centimetra”, njoftoi Ângela Ferreira në rrjetin social Instagram .
Projekti për të përfshirë fekondimin ‘post-mortem’ në Ligjin për Riprodhimin e Asistuar Mjekësor (PMA), i miratuar në vitin 2021, lindi nga një Iniciativë Legjislative Qytetare, e promovuar nga Ângela Ferreira, e cila donte të mbetej shtatzënë me burrin e saj që vdiq nga kanceri në mars 2019.
Njoftimi i Angela Ferreira, duke shfaqur një foto të djalit të saj, përfshinte gjithashtu një homazh për bashkëshortin e saj të ndjerë.
“Faleminderit dashuria ime që më zgjodhe mua për këtë ëndërr. Të dua sot dhe gjithmonë. Tani do të izolohem në këtë flluskë dashurie dhe do ta shijoj sa më shumë që të mundem. Mund dhe ndoshta duhet të them më shumë, por tani dua ta shijoj këtë dashuri të pafund”, shkroi ajo.
Sipas CNN Portugal, Hugo Guilherme Castro Ferreira ka lindur në qendrën veriore të nënave dhe fëmijëve në Porto. Para se të sanksionohej inseminimi pas vdekjes, nisma për ndryshimin e ligjit ndezi debate të nxehta brenda dhe jashtë parlamentit, shkruajnë mediat e huaja.
Dekreti që lejon përdorimin e kësaj teknike në rastet e projekteve prindërore të miratuara shprehimisht, u miratua më 25 mars 2021, por më pas u vendos veto nga Presidenti Marcelo dhe u kthye në parlament, me arsyetimin se duhet të sqarohen çështjet që lidhen me të drejtat e trashëgimisë. Gjashtë muaj më vonë, dekreti u miratua për herë të dytë në parlament, me amendamentet e paraqitura nga parti të ndryshme duke iu përgjigjur dyshimeve të ngritura nga kreu i shtetit, i cili shpalli ligjin dy javë më vonë.