Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e 45-vjeçares Lorena Isceri, e cila humbi jetën pasi u hodh nga një viadukt i autostradës në zonën e Barberino del Mugello, në Itali.
Në qendër të hetimit është ish-partneri i saj, 36-vjeçari Federico Vella, i cili dyshohet se e kishte rrëmbyer gruan dhe e kishte mbajtur të lidhur në bagazhin e automjetit të tij.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, Vella dyshohet se ishte fshehur në garazhin e ish-partneres së tij, me të cilën ishte ndarë në gusht të vitit të kaluar. Ai dyshohet se kishte ndërhyrë në mekanizmin e derës së garazhit dhe kishte pritur mbërritjen e 45-vjeçares.
Kur Isceri mbërriti me automjetin e saj, 36-vjeçari dyshohet se e goditi dhe më pas i lidhi duart me lidhëse. Gruaja u fut në bagazhin e automjetit, ndërsa Vella u largua nga vendi.
Hetuesit dyshojnë se 45-vjeçarja arriti të çlironte duart dhe telefonoi policinë. Telefonata me qendrën e emergjencave zgjati rreth 20 minuta, ndërsa ajo dyshohet se kontaktoi gjithashtu nënën dhe një mik.
Policia arriti të gjurmonte automjetin përmes sinjalit të telefonit të gruas. Kur efektivët mbërritën pranë viaduktit, dyshohet se Vella e kishte nxjerrë Iscerin nga bagazhi dhe e kishte hedhur nga parapeti.
Ende nuk dihet nëse 45-vjeçarja ishte gjallë në momentin e rënies apo kishte humbur jetën më herët si pasojë e dhunës. Kjo është një nga çështjet kryesore që pritet të sqarohet nga autopsia.
Pas përballjes me policinë, edhe 36-vjeçari dyshohet se u hodh nga e njëjta urë dhe humbi jetën. Pak para ngjarjes, ai kishte publikuar në rrjetet sociale një mesazh ku shkruante “Mirupafshim të gjithëve”.
Prokuroria e Firences po heton ngjarjen si vrasje të qëllimshme dhe po verifikon edhe mundësinë që krimi të ketë qenë i paramenduar.
Telefonat e dy viktimave janë sekuestruar dhe po analizohen nga hetuesit, ndërsa pritet të shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë autostradës, si dhe regjistrimet nga kamerat e trupit të efektivëve që mbërritën në vendngjarje.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë gjithashtu nëse Vella kishte konsumuar lëndë narkotike dhe të ndihmojë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
