Një ngjarje e trishtuar ka tronditur zonën rurale të Nea Michanionës në Greqi, ku një burrë 90-vjeçar është arrestuar pasi ka varrosur një qen të gjallë, duke i mbyllur gojën me shirit ngjitës.
Ngjarja u zbulua të mërkurën në mëngjes, kur një kalimtar rastësor vuri re veprimin dhe njoftoi menjëherë policinë.
Oficerët e Departamentit të Policisë së Thermaikos arritën shpejt në vendngjarje dhe gjetën qenin 17-vjeçar ende gjallë, megjithëse shumë të traumatizuar.
Kafsha u dërgua menjëherë në Shoqatën për Mbrojtjen dhe Mjedisin e Kafshëve Endacake të Selanikut Lindor, ku po merr kujdesin e nevojshëm dhe është përmirësuar në shëndet.
Sipas informacionit të oficerëve, 90-vjeçari ka thënë se mendoi se qeni i cili i përkiste vajzës së tij kishte ngordhur, dhe për këtë arsye vendosi ta varroste.
Megjithatë, ky pretendim është duke u hetuar nga autoritetet, të cilat e konsiderojnë veprimin e tij një shkelje të rëndë të ligjit për mirëqenien e kafshëve.
Për këtë incident, burri i moshuar ka marrë një gjobë administrative prej 30,300 eurosh, ndërsa çështja është referuar për ndjekje të mëtejshme penale.
