Më shumë se 3 mijë vjet më parë, në Kazakistanin modern, gjashtë qen u vendosën me kujdes në tokë. A ishin kafshë të dashura shtëpiake apo sakrifica rituale? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Por për shkencëtarët që studiojnë historinë e qenve në shoqërinë njerëzore, këto gjetje arkeologjike janë të çmuara, duke ofruar një mundësi për të hetuar ADN-në e qenve dhe për të kuptuar se si ata udhëtuan dhe shpërndanë gjene mes popullsive njerëzore nëpër kontinente.

Përparimet në sekuencimin e ADN-së së lashtë kanë treguar se njerëzit kanë migruar në rajone të reja në valë të njëpasnjëshme, duke u përzier ose zëvendësuar popullatat lokale. Studiuesit, të interesuar në mënyrën se si kjo lidhej me kafshët që jetonin pranë tyre, analizuan ADN-në e 17 qenve që jetuan gjatë 10 mijë viteve të fundit në Euro Azi, përfshirë një qen nga varri në Kazakistan.

Rezultatet tregojnë se qentë udhëtonin me njerëzit e tyre dhe shpesh mbeteshin edhe në vendet ku njerëzit nuk qëndronin. “Qentë kanë jetuar me njerëzit shumë më parë sesa kemi imagjinuar. Para qyteteve, para fermave, ata kanë qenë gjithmonë me ne. Pulë, kuaj, dele dhe lopë janë më të reja si kafshë shtëpiake, krahasuar me qentë”, thotë Laurent Frantz, profesor në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut.