Në fjalimin e tij të parë në Kongresin amerikan pasi mori mandatin e dytë, presidenti Donald Trump bëri akuza të forta për shpenzimet dhe politikat e administratës së kaluar të Biden, duke i quajtur ato si mashtrime të vazhdueshme dhe abuzime me paratë e taksapaguesve.

Trump theksoi se qeveria ka shpërdoruar miliarda dollarë për projekte që ai i konsideron të panevojshme dhe të paefektshme. Në fjalën e tij, Trump citoi disa shifra që ai i quajti të “tmerrshme”, duke përfshirë 22 miliardë dollarë të alokuara për strehim dhe makina për emigrantët ilegalë, dhe 45 milionë dollarë të dhënë për bursa që promovojnë diversitetin dhe barazinë në Birmani.

Ai gjithashtu akuzoi administratën për financimin e programeve që, sipas tij, nuk kanë asnjë ndikim real në politikat e brendshme amerikane, si 8 milionë dollarë për promovimin e LGBTQI+ në Lesoto, ose 60 milionë dollarë për fuqizimin e popujve indigjenë dhe afro-karaibëve në Amerikën Qendrore.

“8 milionë dollarë për të promovuar LGBTQI+ në kombin afrikan të Lesotos, për të cilin askush nuk ka dëgjuar ndonjëherë. 60 milionë dollarë për popujt indigjenë dhe fuqizimin e Afro-Karaibeve në Amerikën Qendrore. 8 milionë dollarë për t’i bërë minjtë transgjinorë, kjo është e vërtetë”, tha ai.

Në përfundim, Trump theksoi se administrata e tij kishte zbuluar dhe anuluar shumë prej këtyre shpenzimeve të dyshimta dhe kishte arritur të kthejë shumë nga paratë në buxhetin federal.

“Dhe ne kemi marrë mbrapsht paratë dhe kemi ulur borxhin tonë për të luftuar inflacionin dhe gjëra të tjera, kemi marrë mbrapsht shumë nga ato para. I kemi marrë në kohë. Ky është vetëm fillimi”, tha ai.