Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Filottrano në Itali, ku një 49-vjeçar ka ndërruar jetë pasi pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore vetëm pak orë pasi kishte dhuruar gjak.
Paolo Accorroni, baba i katër fëmijëve dhe një figurë e njohur në komunitet, ishte kthyer në shtëpi pas dhurimit të gjakut dhe ishte ndjerë i lodhur. Fillimisht familja mendoi se gjendja e tij lidhej me procedurën, por më pas ai humbi ndjenjat dhe u rrëzua në tokë.
Bashkëshortja njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës, ndërsa ekipet e urgjencës mjekësore ndërhynë me shpejtësi, duke tentuar për rreth 40 minuta ta rikthenin në jetë përmes masazhit kardiak. Fatkeqësisht, përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Accorroni ishte i angazhuar në shumë aktivitete në komunitet, si trajner xhudoje, vullnetar i mbrojtjes civile dhe pjesë aktive e jetës sociale, duke u konsideruar një njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë.



