Tragjedia në Maqedoninë e Veriut vijon të thellohet, edhe pas zjarrit shkatërrues që u mori jetën 59 personave. Sipas mediave vendase, ka ndërruar jetë ditën e sotme shoferi i një ambulance në Koçan, i cili gjatë gjithë natës ka transportuar të lënduarit nga zjarri i tmerrshëm drejt spitalit.
Siç transmeton portali “Metropola”, Ile Gocevski ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi kishte shkuar në shtëpi për të pushuar pas një dite të vështirë dhe të gjatë duke transportuar persona të lënduar. Mesa duket, lodhja ka qenë fatale për të, teksa raportohet se ai kishte shumë vite që punonte si shofer ambulance.
Zjarri i tmerrshëm që shpërtheu të dielën, pak para orës tre të mëngjesit, përfshiu 1.500 njerëz në diskotekën “Pulse” në Koçan. Në zjarr u plagosën 155 persona, ndërsa të paktën 59 persona humbën jetën. Dëshmitarët okularë tregojnë se në ndërtesën e diskotekës kishte vetëm një dalje dhe ajo ishte mjaft e vogël, ndërkohë që zjarri u përhap me shpejtësi.



