Thuhet se një miliardere izraelito-amerikane e përmendur nga vetë Donald Trump në Knesset qëndron pas marrëveshjes së paqes në Gaza, që çoi në lirimin e të gjithë pengjeve izraelite që mbaheshin nga Hamasi.

Po flasim për Miriam Adelson, vejushën 80-vjeçare të mbretit të kazinove Shledon Adelson dhe një mbështetëse e flaktë e manjatit gjatë gjithë fushatave të tij zgjedhore presidenciale. Në fjalimin e mbajtur, Trump përmendi Miriam Adelsonin, e duartrokitur në parlamentin izraelit. Por pse gjithë kjo bujë?

Me pamjen e një ylli popi, syzet e rrumbullakëta dhe flokët e gjatë të bardhë, Adelson ishte duke dëgjuar me vëmendje fjalimin e Trump-it në Knesset, ku duartrokiste në heshtje. Pastaj erdhi nderimi publik, para kamerave nga e gjithë bota.

Çfarë tha Trump për Miriam Adelsonin në Knesset:

Shikojeni atje, ulur kaq e pafajshme. Por ajo ka gjashtëdhjetë miliardë dollarë në bankë. Gjashtëdhjetë miliardë. Do ta fus në telashe me këtë, por e pyeta një herë: Pra, Miriam, e di që e do Izraelin. Kë do më shumë, Shtetet e Bashkuara apo Izraelin? Ajo refuzoi të përgjigjej. Kjo do të thotë se mund të jetë një problem, duhet ta them.

E lindur në Tel Aviv në vitin 1945 nga prindër emigrantë polakë dhe e rritur në Haifa, Miriam është një kontribuese e madhe në aktivitetin politik pro-Izrael e një donatore për kauzat hebraike, si dhe botuese e gazetës së përditshme falas e të lexuar gjerësisht Israel Hayom (fjalë për fjalë: “Izraeli Sot”).

Në vitin 1991, u martua me Sheldon Adelsonin, një manjat kazinosh i cili e kishte transformuar korporatën Las Vegas Sands në një perandori kumari me degë dhe resorte jo vetëm në SHBA, por edhe në Singapor e Makao. Në kohën e martesës së tyre, Miriam zotëronte shumicën e aksioneve të kompanisë, por pas vdekjes së burrit të saj, mori kontrollin e plotë të Las Vegas Sands-it. Po ashtu, është pronare e ekipit të basketbollit Dallas Mavericks.

Megjithatë, mbështetja e Adelsonit për kauzën izraelite fsheh edhe aspekte më të errëta, të tilla si përpjekjet e saj për të bindur Shtëpinë e Bardhë të njohë aneksimin e Bregut Perëndimor nga shteti hebre.

Së bashku me bashkëshortin, shtynë Trumpin të zhvendoste ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem në vitin 2016 e të njihte kontrollin izraelit të Lartësive të pushtuara të Golanit në Siri gjatë mandatit të tij të parë.

Miriam Adelson mbështeti gjithashtu shtypjen e ashpër të studentëve të kolegjit pro-Palestinë në Amerikë në vitin 2024, duke i hedhur poshtë protestat në Forbes Israel si “tubime të tmerrshme të myslimanëve radikalë e aktivistëve të Black Lives Matter”.

Miriam Adelson, dy fëmijët e së cilës jetojnë në Izrael, luajti një rol vendimtar si ndërmjetëse për familjet e pengjeve izraelite, duke i ndihmuar të paraqisnin çështjen e tyre drejtpërdrejti te Donald Trump. Shumë të afërm të personave që mbaheshin nga Hamasi, më vonë zbuluan se kishin kontakt të përditshëm me miliarderin.

Përpjekjet e Adelsonit ndihmuan të bindej presidenti amerikan që t’i jepte përparësi lirimit të pengjeve, duke e bërë këtë një gur themeli të planit të paqes në Lindjen e Mesme.