Pas 27 vitesh burg për një krim që nuk e kishte kryer, Bryan Hooper Sr., 54 vjeç, është liruar më në fund, pasi dëshmitari kryesor që ndihmoi në dënimin e tij rrëfeu vrasjen e vërtetë.
Ngjarja e rëndë daton në vitin 1998, kur 77-vjeçarja Ann Prazniak u gjet e vrarë në apartamentin e saj në Minneapolis, e mbytur dhe e futur në një kuti kartoni. Në atë kohë, autoritetet arrestuan dhe dënuan Hooper Sr., pas dëshmisë së Chalaka Young, e cila e akuzoi atë si autorin e vrasjes.
Young, e cila në atë periudhë përballej me akuza të tjera, pretendoi se Hooper e kishte detyruar të qëndronte roje gjatë kryerjes së vrasjes dhe më pas e kishte kërcënuar. Gjurmët e gishtërinjve të saj ishin gjetur në skenën e krimit, por ajo e mohoi përfshirjen dhe bashkëpunoi me prokurorët në këmbim të një dënimi më të lehtë.
Pas gati tri dekadash, nga një burg në Xhorxhia, ku po vuante një tjetër dënim, Young shkroi një rrëfim të plotë me dorë, ku pranoi fajin për vrasjen dhe kërkoi falje që kishte dërguar një njeri të pafajshëm pas hekurave.
“Nuk jam më dakord që një njeri i pafajshëm të qëndrojë në burg për një krim që nuk e ka bërë,” shkroi Young. “Kam shkatërruar dy jetë atë të viktimës dhe atë të Hooper. Dua të marr përgjegjësinë.”
Rrëfimi u konfirmua edhe përmes dëshmisë së saj të dhënë në telefon për familjen dhe hetuesit. Prokurorja e Qarkut Hennepin, Mary Moriarty, shprehu keqardhjen për padrejtësinë që Hooper kishte përjetuar, ndërsa Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm dhe rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Great North Innocence Project, organizata që ndihmoi në zbardhjen e rastit, bëri të ditur se dëshmia e Young ishte mbështetur nga edhe katër dëshmitarë të tjerë, të cilëve u ishin ofruar përfitime në këmbim të deklarimeve. Të gjithë e kanë tërhequr dëshminë ndër vite.
Bryan Hooper Sr., i cili në momentin e arrestimit kishte tre fëmijë të vegjël, u ribashkua me ta të enjten jashtë burgut të Stillwater, mes emocioneve dhe lotëve. Ai shprehu dëshirën për të qëndruar në Twin Cities, pranë familjes, dhe për të ndërtuar jetën nga e para.
“27 vjet nuk kthehen më. Por sot, ne kemi lirinë dhe njëri-tjetrin. Mjafton,” tha vajza e tij, Bri’ana Hooper, gjatë një deklarate prekëse për mediat.
Policia e Minneapolis ka rihapur hetimin për vrasjen e Ann Prazniak, ndërsa Chalaka Young përballet tani me pasoja të reja ligjore për vrasjen dhe për dëshminë e rreme që dërgoi një burrë të pafajshëm në burg për gati tri dekada.