Një raport i autoriteteve amerikane ka nxjerrë në pah disa prej incidenteve më serioze të sigurisë që u regjistruan gjatë Kupës së Botës, duke treguar se pas atmosferës festive të turneut fshiheshin kërcënime të shumta ndaj futbollistëve dhe arbitrave.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca, FBI-ja, në bashkëpunim me Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (IPCC), ndërhyri në disa raste për të parandaluar situata që konsideroheshin me rrezik të lartë.

Messi, objektivi kryesor i kërcënimeve

Lionel Messi rezulton të ketë qenë futbollisti më i ekspozuar ndaj kërcënimeve gjatë turneut.

Një nga rastet më alarmante ndodhi para sfidës së fazës së grupeve mes Argjentinës dhe Jordanisë, kur autoritetet morën një telefonatë kërcënuese në aeroportin e Dallasit. Personi që telefonoi pretendoi se, së bashku me dy bashkëpunëtorë të armatosur me një pushkë tip AR-15 dhe mjete shpërthyese artizanale, kishte në plan të sulmonte stadiumin, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Messin si objektivin kryesor.

Një tjetër alarm u regjistrua përpara ndeshjes së 1/8-ave ndaj Egjiptit. Në rrjetet sociale u publikua një mesazh ku një person kërcënonte se do të hynte në stadiumin e Atlantës me eksploziv të lidhur në trup për të goditur kapitenin argjentinas.

Po gjatë asaj ndeshjeje, një telefonatë anonime sinjalizoi praninë e bombave të fshehura në tribunat e stadiumit. Pas kontrolleve të kryera nga njësitë speciale dhe qentë e trajnuar për zbulimin e eksplozivëve, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Edhe Ronaldo nën masa të forta sigurie

Edhe Cristiano Ronaldo u përball me incidente që ngritën nivelin e alarmit për sigurinë e tij.

Në një prej rasteve, FIFA informoi FBI-në për një person që po përpiqej të siguronte informacione konfidenciale mbi vendndodhjen dhe hotelin e kombëtares portugeze. I dyshuari u identifikua dhe u arrestua dy ditë më vonë nga policia në Hjuston, brenda hotelit ku ishte akomoduar Portugalia.

Një episod tjetër ndodhi në Toronto, ku një person u ndalua teksa tentonte të hynte në ashensorin privat të ekipit portugez. Më vonë ai deklaroi se synimi i tij ishte thjesht të realizonte një fotografi me Ronaldon.

Kërcënime edhe ndaj arbitrave

Objektiv i sulmeve verbale dhe kërcënimeve u bënë edhe gjyqtarët e turneut.

Arbitri francez François Letexier, pas drejtimit të ndeshjes Argjentinë-Egjipt, mori mbi 6 mijë mesazhe fyese dhe kërcënuese në numrin e tij personal të WhatsApp, përfshirë edhe kërcënime me vdekje.

Situatë e ngjashme u raportua edhe për arbitrin e VAR-it, Willy Delajod, i cili ishte pjesë e së njëjtës ndeshje. Për shkak të nivelit të lartë të rrezikut, autoritetet franceze vendosën masa shtesë sigurie për të mbrojtur dy gjyqtarët dhe familjarët e tyre.

Raporti evidenton se turneu u zhvillua nën një regjim të jashtëzakonshëm sigurie, me dhjetëra kërcënime që u verifikuan dhe u neutralizuan nga autoritetet, duke shmangur incidente që mund të kishin pasoja të rënda.