Një vajzë 19-vjeçare është gjetur e vdekur në oborrin e një pallati në Milano. Viktima është identifikuar si Aurora Livoli, e cila sipas familjarëve kishte më shumë se një muaj që ishte larguar nga shtëpia.
Kontakti i fundit me të kishte qenë në mëngjesin e 26 nëntorit, kur ajo u kishte komunikuar se ndodhej mirë dhe se nuk kishte ndërmend të kthehej, pa dhënë detaje mbi vendndodhjen e saj.
Karabinierët kanë publikuar dy pamje nga kamerat e sigurisë, ku Aurora shihet duke ecur në rrugë pak para se të hynte në një pallat në Via Paruta. Në pamje ajo paraqitet e qetë, me flokë të errët deri në supe, e veshur me atlete dhe xhaketë. Pas saj shfaqet edhe një burrë i gjatë e i dobët, me bluzë të bardhë, i cili nuk dallohet qartë. I njëjti person është filmuar rreth një orë më vonë duke u larguar nga zona, këtë herë i vetëm.
Sipas hetuesve, nga pamjet nuk rezultojnë shenja ndjekjeje apo dhune në atë moment, çka sugjeron se dy personat mund të njiheshin.
Kur u gjet, e reja nuk kishte me vete dokumente identifikimi apo telefon. Verifikimet në bazat e të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve, kërkimet në qendrat e pritjes dhe dëshmitë e banorëve të zonës nuk dhanë rezultat, duke e vështirësuar identifikimin. Vetëm pas publikimit të pamjeve të kamerave u bë i mundur identifikimi i saj.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Autopsia që pritet të kryhet do të sqarojë nëse shenjat e vërejtura në qafë lidhen me vdekjen dhe nëse ka pasur apo jo dhunë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e burrit të filmuar dhe për rindërtimin e orëve të fundit të jetës së 19-vjeçares.
