Momente tronditëse janë regjistruar në një arenë luftimi me dema në Arles, në jug të Francës, ku toreadori i famshëm peruan Andrés Roca Rey u bllokua mes brirëve të një demi 540 kilogramësh dhe u zvarrit për disa sekonda nëpër arenë.

Incidenti ndodhi më 12 shtator gjatë Feria du Riz. Demi, i quajtur Vicioso, ishte i pesti që doli në arenë atë pasdite.

Pamjet tregojnë momentin kur kafsha sulmon 29-vjeçarin Roca Rey, e ngre nga toka dhe e kap mes brirëve. Toreadori përpiqet me dëshpërim të mbahet dhe të çlirohet, ndërsa demi vazhdon të lëvizë nëpër arenë.

Agonia zgjati më shumë se dhjetë sekonda, derisa kolegët dhe asistentët e tij nxituan për ta ndihmuar. Rreth dhjetë burra rrethuan demin dhe arritën ta frenojnë, duke e larguar Roca Rey nga brirët. Më pas, toreadorë të tjerë përdorën pelerinat për ta shpërqendruar kafshën dhe për ta larguar nga 29-vjeçari.

Pavarësisht incidentit, Roca Rey nuk u largua nga arena. Vetëm pak minuta më vonë, ai u rikthye për t’u përballur sërish me Vicioson dhe vazhdoi ndeshjen.

Paraqitja përfundoi në mënyrë triumfale për peruanin. Ai fitoi dy veshë dhe një bisht për përballjen me Vicioson, ndërsa në total gjatë asaj pasditeje siguroi tre veshë dhe një bisht.

Roca Rey konsiderohet një nga emrat më të mëdhenj të ndeshjeve moderne me dema. Stili i tij veçanërisht i guximshëm dhe tendenca për t’u afruar shumë me kafshët i kanë siguruar një popullaritet të madh dhe nofkën “Messi i toreadorëve”.

I lindur në Peru, ai shkoi në Spanjë në moshën 13-vjeçare për të ndjekur profesionalisht karrierën si toreador dhe më vonë mori edhe shtetësinë spanjolle. Para ndeshjes në Arles, bashkia e qytetit raportoi se Roca Rey kishte grumbulluar 50 “veshë” në 28 ndeshje me dema gjatë vitit 2026.

Ky nuk ishte rasti i parë kur 29-vjeçari është përballur me rrezik serioz në arenë. Në prill, në Sevilje, ai u godit nga një dem dhe u ngrit në ajër, duke pësuar një plagë të thellë në këmbë.

Në tetor të vitit 2024, ai u kap gjithashtu në video teksa hidhej nga brirët e një demi. Pasi u rrëzua në tokë dhe u përpoq të mbrohej, kafsha e sulmoi sërish, duke i kapur uniformën me bririn dhe duke e tundur me forcë, derisa ndërhynë toreadorët e tjerë.

Incidentet e rrezikshme e kanë shoqëruar që nga fillimet e karrierës. Roca Rey ishte plagosur nga një dem në pesë paraqitjet e tij të para, ndërsa në vitin 2016 një tjetër sulm i fortë bëri xhiron e mediave.

Përballjet e fundit kanë rikthyer edhe debatin mbi ndeshjet me dema, një traditë e gjatë veçanërisht në Spanjë, por që po përballet me kundërshtime gjithnjë e më të mëdha për mënyrën e trajtimit të kafshëve.

Sipas një sondazhi të vitit 2025 të cituar nga mediat britanike, rreth 77% e spanjollëve janë kundër ndeshjeve me dema, ndërsa te qytetarët nën 35 vjeç kjo përqindje kalon 80%.

Megjithatë, për Roca Rey, as përballja e fundit me demin 540 kilogramësh nuk ishte e mjaftueshme për ta larguar nga arena. Ai u rikthye për t’u përballur sërish me kafshën dhe e përfundoi performancën me sukses.

Top Channel