Ministria e Shëndetësisë në Itali ka njoftuar se janë identifikuar dy raste të dyshuar me virusin Ebola.
Sipas mediave vendase, të infektuarit janë dy persona që u kthyen nga Uganda dhe që aktualisht janë të shtruar në një spital në Milano, ndërsa familjarët e tyre janë nën monitorim. Ata priten tu nënshtrohen testeve diagnostikuese për të zbuluar nëse bëhet fjalë për virusin Ebola, apo një virus tjetër.
Më tej ministria njoftoi se rreziku në Itali është shumë i ulët, duke theksuar se sistemi kombëtar i gatishmërisë dhe reagimit ndaj emergjencave të sëmundjeve infektive është plotësisht funksional dhe të gjitha procedurat e nevojshme për të menaxhuar çdo rast të dyshuar janë aktivizuar.
Kujtojmë që shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të dielën se deri më tani kishte pasur më shumë se 900 raste të dyshuara në Kongo, ku shpërtheu virusi, ndërsa 202 persona kanë humbur jetën. Raste janë raportuar edhe në Ugandë. Virusi Ebola është një sëmundje e rrallë, por shumë e rëndë dhe shpesh vdekjeprurëse, që shkakton ethe hemorragjike. Ky virus përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të njerëzve apo kafshëve të infektuara dhe shkalla mesatare e vdekshmërisë shkon në rreth 50\%.
