Numri i viktimave nga shpërthimi i Ebolës në Republika Demokratike e Kongos ka kaluar 200, vetëm një muaj pasi autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në verilindje të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga Africa CDC, agjencia shëndetësore e Bashkimit Afrikan.
Sipas të dhënave zyrtare, 875 persona janë konfirmuar të infektuar me virusin që nga 15 maji, ndërsa 202 prej tyre kanë humbur jetën, duke e çuar shkallën e vdekshmërisë në 23 për qind. Në Uganda, ndërkohë, janë regjistruar 19 raste të konfirmuara dhe dy viktima.
Shpërthimi aktual është shkaktuar nga lloji Budibugyo i virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik.
Epiqendra e përhapjes mbetet provinca Ituri, një zonë e vështirë për t’u arritur për shkak të infrastrukturës së dobët dhe pranisë së grupeve të armatosura.
Zyrtarët e Africa CDC kanë shprehur shqetësim për vështirësitë në gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar, duke paralajmëruar se problemet e sigurisë dhe mungesa e aksesit në disa zona mund të pengojnë kontrollin e shpërthimit.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se situata në Ugandë është aktualisht nën kontroll. Ebola, e cila transmetohet përmes lëngjeve trupore dhe kontaktit të afërt me të infektuarit, ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë 50 viteve të fundit.
