Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Kopenhagen konfirmoi se informacioni mbi një propozim rus që Industria e Naftës së Serbisë (NIS) të blinte një pjesë të naftës amerikane përmes tubacionit Adriatik, si zgjidhje kompromisi përballë sanksioneve amerikane, është i saktë. Megjithatë, ai shprehu dyshime nëse një marrëveshje e tillë do të pranohej nga pala amerikane.

“Është e vërtetë, por mbetet pyetja nëse amerikanët do ta pranojnë. Shpresoj që po, por nuk jam i sigurt. Nuk mendoj se është vetëm çështje interesi financiar, besoj se luhet një lojë më e madhe,” tha Vuçiç, duke shtuar se zgjidhja e problemit është shumë më e komplikuar.

Biseda me kryeministrin kroat

Vuçiç zbuloi gjithashtu se kishte biseduar me kryeministrin kroat Andrej Plenković për situatën e NIS-it, duke e cilësuar gjendjen si shumë serioze. Sipas tij, Serbia rrezikon të mbetet pa funksionimin e rafinerisë, çka lidhet jo vetëm me furnizimin me naftë, por edhe me sanksionet financiare. “Plenkoviç e kupton situatën, por përgjegjësia kryesore mbetet tek Rusia dhe SHBA, jo Evropa,” theksoi ai.

Pengesat dhe presioni ndërkombëtar

Sipas Tonino Piculës, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, sanksionet ndaj NIS-it janë pasojë e lidhjeve të forta midis Beogradit dhe Moskës. Ai shtoi se Rusia nuk po i lejon Serbisë një rrugë të shpejtë për ndryshimin e pronësisë së kompanisë dhe se nacionalizimi nuk është opsion në tryezë.

Ndërkohë, fati i NIS-it lidhet edhe me kontratën që ka me kompaninë kroate Janaf, e cila parashikon transportin e naftës bruto deri në fund të vitit 2026. Picula vlerësoi se afatet e shkurtuara për zgjatjen e licencave (pesë dhe shtatë ditore) përbëjnë një formë presioni nga administrata amerikane ndaj pronarëve të NIS dhe qeverisë serbe.

Aktualisht, hyrja në fuqi e sanksioneve amerikane ndaj NIS është shtyrë deri më 8 tetor, ndërsa zgjatja më tej do të varet nga hapat që kompania do të ndërmarrë në raport me Uashingtonin.