Rusia mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, jo një armëpushim të përkohshëm që do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe përgatitur për vazhdimin e luftës. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar propozimin e bërë nga Kievi për një armëpushim për Krishtlindje.
“Ne duam paqe, nuk duam një armëpushim që do t’i jepte Ukrainës hapësirë frymëmarrjeje dhe kohë për t’u përgatitur për vazhdimin e luftës. Ne duam ta ndalojmë këtë luftë, të arrijmë qëllimet tona, të sigurojmë interesat tona dhe të garantojmë paqen në Evropë për të ardhmen. Kjo është ajo që duam”, u tha Peskov gazetarëve, duke përsëritur qëndrimin e Moskës mbi iniciativat ukrainase për një armëpushim të përkohshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit komentoi gjithashtu kontaktet midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, duke sqaruar se të dy udhëheqësit nuk kanë folur në telefon që nga komunikimi i tyre më 16 tetor.
Deklarata e Peskov erdhi pas një pyetjeje nga gazetarët, duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme të Donald Trump, i cili kishte pohuar se kishte folur së fundmi me Vladimir Putin, pa specifikuar se kur saktësisht u zhvillua biseda.
I pyetur drejtpërdrejt nëse kishte pasur një bisedë telefonike midis dy presidentëve pas bisedës së 16 tetorit, Dmitry Peskov u përgjigj thjesht: “Jo”. Kujtojmë që negociatat mes amerikanëve dhe ukrainasve për planin e propozuar të Trump për paqen kanë vijuar. Pas Gjenevës, Miamit, bisedime pati edhe në Berlin. SHBA-të kanë ushtruar presion ndaj Kievit që të heqë dorë nga Donbasi, që Rusia e pretendon si të sajën, ndërsa Zelensky, nga ana tjetër, thuhet se ka hequr dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.




